Report TV - Gjermania jep 50 mln euro për linjën e transmisionit Shqipëri-Maqedoni

2016-09-20 0

Nënshkruhet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për financimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, nënshkruan këtë të martë në Tiranë, marrëveshjen për financimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri-Maqedoni.

Ministri Gjiknuri u shpreh se tashmë janë siguruar të gjitha financimet e nevojshme për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni.

"Tashmë janë siguruar të gjitha financimet për ndertimin e kësaj linje, nga të cilat pjesë e parë është kredia me financim gjerman në vlerën 50 milionë euro dhe 14 milionë euro të tjere janë grante nga BE. Projekti përfshin linjën me Maqedoninë dhe ndërtimin e dy stacioneve në Fier dhe Elbasan", deklaroi Gjiknuri

Ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz, tha se përmes këtij financimi do të ndërtohet segmenti i parë dhe më pas segmenti i dytë. Schütz deklaroi se Gjermania ka vënë në dispozicion 30 milionë euro dhe 20 milionë euro të tjera do të lëvrohen pas pushimit veror.

?Ky financim është një kontribut për një furnizim më të qëndrueshëm me energji, shans për të eksportuar energji. Deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshje kanë kaluar 6 vjet, por ne duam të jemi më të shpejtë tani në zbatimin e marrëveshjeve tona dhe nuk duhet ti lemë njerëzit të presim në gjatë.?- deklaroi ambasadorja gjermane