Report TV - Mbyllet festivali ''Multikulturor'' në Berat, Organizatorët: Sukses i madh

2016-09-20 0

Kanë përfunduar në orët e vona të së shtunës aktivitetet e festivalit "Multikulturor" në qytetin muze, i cili për tre ditë ishte epiqendra e artit dhe kulturës. Panairi i librit dhe ai i artizanatit është vizituar deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërkohë që deri në mesnatë muzika e grupit " All band" ka mbushur me tinguj pedonalen e qytetit.

Qindra vizitorë të festivalit dhe turistë janë bashkuar me qytetarët e Beratit duke u argëtuar deri në orët e vona. Për organizatoren e këtij festivali, Juliana Sinanaj gjithë stafi tashmë është me më eksperiencë dhe se vitin tjetër do të kthehen edhe më organizuar në këtë qytet.

''Bukuritë e Beratit, pamjet e tij të lagjeve muzeale u bënë skenografia e hapur e festivalit, që priti artistët më të njohur në vend. Jemi shumë të gëzuar që festivali u ndoq nga banorë, vizitorë dhe turistë më shumë se një vit më parë dhe kjo na bën të besojmë se vitin tjetër do të kemi një numër e më të madh vizitorësh''.

Organizata "Njerëz dhe ide" falë mbështetjes së dhënë nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, Ministria e Kulturës, BID Berat dhe bashkia e qytetit bëri të mundur për të tretin vit organizimin e këtij festivali, i cili solli në Berat emra të njohur të muzikës si Marsela Çibukaj, "Asgjë sikur dielli", ndërkohë që nuk munguan panairet, ekspozitat, etj.