Tre persona, një nënë me fëmijën dhe një tjetër fëmijë nga Kosova kanë mbetur të vdekur nga përplasja e dy mjeteve në një aksident në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë. Ndërsa 9 persona janë të plagosur, 3 janë transportuar në Tiranë me helikopter, nga të cilët një nga dy fëmijët dhe një 46-vjeçar janë në gjendje të rëndë.
Viktimat janë oficerja e zyrës së Përgjimeve në Policinë e Shtetit, Albana Hasani 38-vjeçe e bija Daien Dedja 9-muajshe dhe një tjetër fëmijë Luan Hasani 9-muajsh nga Kosova, që po udhëtonte në mjetin tjetër.
Në mjetin tip ?Nisan? me targa zvicerane ZH75095, Irfan Hasani nga Kosova me banim në Zvicër po udhëtonte me 4 pjesëtarë të familjes.
Nga përplasja ka mbetur e vdekur foshnja 9-muajshe Luan Hasani, ndërsa të plagosur kanë mbetur drejtuesi i mjetit Irfan Hasani, Pajtesa Hasani, Gencian Hasani dhe Laendra Hasani.
Në mjetin tjetër tip furgon që u përplas me ?Nisan?-in po udhëtonin 7 persona. Furgoni drejtohej nga Hasan Dedja, ndërsa nga përplasja kanë mbetur të vdekur gruaja e tij, Albana Hasani oficere e policisë dhe fëmija i tyre Daien Dedja 9- muajsh.
Të plagosur kanë mbetur drejtuesi i mjetit tip furgon, Hasan Dedja ish-drejtor i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Entela Gjyli, Ened Gjyli, Kejdi Gjyli dhe Aida Hasani.
Me helikopter në Tiranë janë transportuar të plagosurit Laendra Hasani, Ened Gjyli dhe Irfan Hasani.
Në Tiranë me ambulancë u transportuan 5 të plagosur Hasan Dedja, Gencian Hasani, Kejdi Gjyli, Entel Gjyli dhe Pajtesa Hasani, jashtë rrezikut sipas mjekëve.
Ndërsa në spitalin e Gjirokastrës jashtë rrezikut për jetën ndodhet Aida Hasanaj. Për i përket të plagosurve që kanë mbërritur në Tiranë, mjekët e spitalit të Traumës deklarojnë se në gjendje më të rëndë nga 3 të plagosurit janë një nga dy fëmijët dhe një burrë rreth 46-vjeç, Irfan Hasani.
?Fëmija 4 vjeç është më rëndë nga të gjithë dhe burri 46 vjeç. Të plagosurit e tjerë që po transportohen me ambulancë në Tiranë që janë jashtë rrezikut për jetën?.
Ndërsa fëmija tjetër i transportuar me helikopter është në gjendje të mirë dhe komunikon sipas mjekëve.
Si ndodhi aksidenti
Ngjarja ka ndodhur në kthesën e fshatit Mashkullorë në orën 12:00 rreth 4 km në veri të qytetit të Gjirokastrës.
Dy automjetet, janë përplasur shumë fort me njëra-tjetrën aq sa ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe lëndimin e 9 të tjerëve. Makina tip furgon gri me targa AA760LI, vinte nga jugu, ndërsa automjeti tjetër tip Nissan me targa zvicerane ZH75095 nga veriu në drejtim të jugut.
Në furgonin gri, udhëtonin 7 persona, 2 prej të cilëve humbën jetën ndërsa në automjetin me targa zvicerane, udhëtonin 5 persona të një familje nga Kosova, ku një fëmijë humbi jetën.
Sipas burimeve ende jo zyrtare, bëhet e ditur se shkaku i aksidentit, ka ardhur si pasojë e humbjes së drejtimit nga ana e automjetit tip Nissan, i cili ka hyrë në korsinë e djathtë ku udhëtonte furgoni.