Report TV - Kuvendi vendim historik! 140 vota për reformën në drejtësi

2016-09-20 1

Votë historike në Kuvendin e Shqipërisë! Miratohet unanimisht me 140 vota "pro" Reforma në Drejtësi.

Buzëqeshje dhe duartrokitje nga ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, ndërsa Shqipëria nis një epokë të re, me një sistem drejtësie të reformuar sipas standardeve Europiane.

Reforma në drejtësi cilësohet si reforma më e rëndësishme e Shqipërisë në këto 25 vite pluralizëm politik, ndërsa për Bashkimin Europian ishte kushti bazik për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe avancimin e projektit europiane të vendit.

Konsensusi për reformën u arrit në mesditë, kur mazhoranca dhe opozita pranuan propozimin e ri të ambasadorëve Lu e Vlahutin, për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP.

Sipas draftit të ri, për zgjedhjet e anëtarëve të KLGJ dhe KLP është vendosur një formulë hibride. Nga 11 anëtarë të KLGJ, 6 i zgjedh trupa e gjykatësve, ndërsa 5 zgjidhen nga Kuvendi.

Komisioni që i zgjedh duhet të mirarojë një listë në bllok që duhet të marrë katër nga pesë vota. Në rast se bllokohet zgjidhen me short. Anëtarët për KLGJ dhe KLP votohen me 2/3 në Parlament.

Kujtojmë që PD ishte kundër opsionit të shortit, por pas 6 orë negociatash të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në kryesinë e Kuvendit, kryetari demokrat, Lulzim Basha ka pranuar këtë propozim, duke i hapur rrugë miratimit të reformës në Kuvend pas pak minutash.