Report TV - Basha: Fituam! Vettingun do ta bëjnë shqiptarët, votojmë nesër reformën

2016-09-20 0

Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh në një konferencë për shtyp se opozita do të votojë reformën në drejtësi, nesër në Kuvend.

Basha tha se letra e komisionerit Hahn sqaron se roli i ONM do të jetë vetëm rekomandues, pasi vendimmarrja do t'i takojë institucioneve shqiptare. Sipas Bashës, kjo është një betejë e fituar nga opozita, e cila insistoi për vetting nga shqiptarët.

"PD do të japë nesër votat e saj për miratimin e reformës në drejtësi. Është koha për bashkim politik. Akti politik i nesërm është në emër të çdo shqiptari. Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët evropianë dhe amerikanë dha jam para jush për të ndarë lajmin e mirë. Pas komunikimit të fundit të rakorduar nga komisionari Hahn, roli i ndërkombëtarëve rekomandues, vendimmarrja mbetet në duart e kushtetutës shqiptare. Nuk do të përjashtohet asnjë qytetar nga konkurrimi mbi bazën e opinioneve por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave. Ndaj nuk jam lëkundur në asnjë çast, jo për kryeneçësi as për populizëm. Të hiqja dorë nga këto 2 parime do të thoshte se të hiqja dorë nga vetja ime. Kjo betejë sot përmbushet me një fitore. Jo fitoren e Lulzim Bashës dhe as të PD-së, por të çdo shqiptari, duke nisur nga kryeministri deri tek çdo qytetar, si të barabartë para ligjit. PD është e gatshme që të bashkojë votat për propozimin hibrid?, u shpreh Basha. 0

Kryetari demokrat theksoi se kjo është fitore e opozitës. Sipas tij, ndërkombëtarët s'mund të pranonin asgjë jashtë standardeve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias.