Report TV - Veliaj: Çdo pallat në Tiranë do ketë administrator, i zgjedhin vetë banorët

2016-09-20 0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh sot se çdo pallat i Tiranës do ketë administrator. Sipas tij, në 5000 pallatet që shtrihen në kufijtë administrativë të Bashkisë së Tiranës, do ketë po aq administratorë, të cilët do të përgjigjen për problemet e pallateve dhe komunitetit. Emërimet e administratorëve, tha Veliaj, do të bëhen nga asambleja e komunitetit. Nëse kjo nuk ndodh nga vetë banorët, theksoi ai, atëherë Bashkia e Tiranës do t'i emërojë vetë administratorët e pallateve.

"Do ketë administratorë në 5000 pallatet e Tiranës. Janë 5000 mijë pallate dhe Bashkia e ka të pamundur të merret me çdo problem të pallateve. Gjërat e vogla ndikojnë në cilësinë e jeteës. Çdo administrator do të jetë një ndërlidhës me Bashkinë. Çdo pallat do të ketë një administrator dhe Tirana do të shkojë në një fazë tjetër. Për një javë ne do të fillojmë këtë proces. Ka shumë njerëz që mund të thonën se unë jam qiraxhi dhe ç'punë kam për këtë. Ke punë sepse administratorët janë të nevojshëm për të na treguar sesa familje të reja kanë ardhur në Tiranë dhe ne të planifikojmë politikat për të ardhmen. Financimet e Bashkisë mund të kenë efekte në komunitet, por administratorët mund të na thonë. Ata mund të na njoftojnë në kohë reale për ndërtimet pa leje, për saldimet që kryhen nëpër shtylla. E njëjta gjë vlen për pastërtinë, ne s'vëmë dot 5000 policë në 5000 pallate. Dhe nëse administratori na njofton se kush ndot, atëherë ne i kemi rritur gjobat", u shpreh Veliaj.