Pas debateve të ashpra në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pranuar propozimin hibrid të SHBA dhe BE, për reformën në drejtësi.
Kreu i PD tha se reforma është drejt miratimit, ndërsa i bëri thirrje mazhorancës që të japë konsensusin për dy pikat e diskutueshme mes palëve. Basha u shpreh optimist për produktin e negociatave, ndërsa për herë të parë pas 1 viti diskutimesh, shqiptoi se "reforma në drejtësi do të miratohet".
"Qëndrimi i grupit është unanim pro reformës dhe koheziv. Partia Demokratike është për miratimin e kësaj reforme, pro draftit mbi propozimin hibrid. Është e gatshme për zgjidhje. Priremi nga zgjidhja dhe jo bllokimi nga vota konsensuale dhe jo nga skema politike. Sot është e martë pasdite, sonte, nesër gjatë gjithë ditës qëndrojmë të hapur për negociata. Jemi gati të ofrojmë dhe pranojmë zgjidhje të argumentuara në bazë të kësaj kornize parimesh. Nuk jam pesimist, sepse po të kishim malin e problemeve që kishim muajt më parë do thosha se kjo është një reformë drejt dështimit, por kjo është një reformë drejt miratimi. Të ulemi të gjejmë zgjidhje për çështjen përfundimtare që e mban në mënyrë absurde peng zgjidhjen. PD dhe unë jemi këtu për të dhënë një zgjidhje konsensuale për reformën në drejtësi. Jam i sigurt se me negociata do t?i japim ajmin e mirë shqiptarëve", u shpreh Basha.
I pyetur për debatet brenda PD lidhur me qëndrimin e ambasadorit të SHBA, Basha tha është i gatshëm të diskutojë me partnerin strategjik të shqiptarëve për shqetësimet e opozitës. Sipas tij, informacionet për debate në PD vijnë të shtrembëruara.
Shqetësimi i PD-së është legjitim për shkak të keqpërdorimit të kësaj reforme. Unë po mundohem të vetëpërmbahem, të zbatoj në mënyrë vullnetare moratoriumin në këtë orë të rëndësishme dhe të ftoj mazhorancën për reflektim. Qëndrimet tona janë koherente. Ky është një debat që jam i gatshëm të pranoj me partnerin tonë strategjik. Por, dje kemi pranuar propozimin e partnerit tonë strategjik dhe presim që marrëveshja të shkojë drejt miratimit, dhe jo drejt abortimit me truke që nuk i mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe Partia Demokratike", tha Basha.