Mes debatesh të shumta, është miratuar vetëm me votat e mazhorancës projektligji për ndërtimin e portit të Karpenit në Kavajë. Deputetët e djathtë akuzuan në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive prodhuese mungesën e plotë të transparencës dhe nxitimin me të cilin u hartua dhe u kalua për miratim ligji për ketë investim me vlerë 5 miliardë dollarë. Deputeti i PD-së Helidon Bushati kërkoi më shumë detaje mbi kompanitë që qëndrojnë pas këtij konsorciumi. Në mënyrë të veçantë për shoqërinë që ka bërë propozimin e pakërkuar për ndërtimin e Portit, kapitali i së cilës është vetëm 100 paund.
Gjatë seancës dëgjomore nuk munguan as batutat. Deputeti i PS Eduard Ndocaj, tha që nëse vërtetë kompania investuese Star Bridge ka për kapital vetëm 100 paund, ishte i gatshëm dhe ai të bëhej bashkëinvestitor duke paguar shumën prej 100 paundësh.
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se kompania që ka propozuar ndërtimin dhe shfrytëzimin e portit nuk ka kapitale pasi do të menaxhojë fondet e shoqërive që bëjnë pjesë në konsorcium.
Votimi i projektligjit do të thotë se Qeveria do nisë pas 45 ditësh shqyrtimin e propozimit të britanikëve dhe mund të miratojë brenda 2 muajsh kontratën koncesionare.