Kryeministri Edi Rama u shpreh në një konferencë për shtyp, pas takimit trepalësh për reformën në drejtësi, se 21 korriku duhet të jetë dita e bashkimit që do t'i çelë rrugë një revolucioni të mirëfilltë dhe transformimi të madh të Shqipërisë.
Duke e konsideruar reformën në drejtësi një revolucion të pashmangshëm, shefi i mazhorancës u shpreh i bindur se paketa e ndryshimeve Kushtetuese do të miratohet në 21 Korrik dhe për të do të shkojnë 94 vota.
"Reforma do të votohet në 21 Korrik. Me konsensus ose pa konsensus reforma do të kalojë. Konsensusi kushtetues është me 2/3 e votave të Kuvendit, pra me 94 vota dhe jo unanimiteti. Nëse do të kishim 100 përqind konsensus, kjo do të ishte e mirëseardhur", u shpreh Rama, ndërsa paralajmëroi se miratimi i reformës në drejtësi do të shënojë edhe një ndarje të re dramatike.