Report TV - 'Drejtësia', Rama letër Bashës: Nuk duhet që të turpërohemi

2016-09-19 0

Kryeministri i vendit Edi Rama i ka bërë një kërkesë kreut të demokratëve, Lulzim Basha që të miratojnë Reformën në Drejtësi dhe të mos lejojnë që Shqipëria dhe Kuvendi të turpërohen për mosmiratimin e saj.

Kjo kërkesë e Ramës është bërë pas deklaratës së ambasadorit të SHBA, Donald Lu, ku një ditë më parë tha se Rama e Basha duhet të mbyllen në një sallë dhe të gjejnë patjetër zgjidhjen e kërkuar për miratimin këtë të enjte Reformën në Drejtësi.

Sipas Ramës, një propozim i tillë i Lu-së e shpreh qartë, përmasën e pazakonshme të frustrimit të SHBA në kushtet e ngërçit ku ndodhet procesi dhe po ashtu nxjerr në pah më shumë se njëqind deklarata zyrtare, se çfarë rëndësie madhore ka për Shtetet e Bashkuara, kjo reformë në drejtësi.

Ai ka shtuar se, dje foli edhe i dërguari i qeverisë gjermane jo vetëm për peshën e madhe që Gjermania i jep Reformës në Drejtësi por edhe për vlerësimin e mëtejshëm të Shqipërisë, duke kritikuar opozitën.

Për këtë, Rama i bën thirrje të sinqertë Bashës për një reflektim serioz, pasi sipas tij angazhimi i paprecedent i partnerëve në këtë proces, është edhe një çështje e forcimit të mëtejshëm të ligjshmërisë në Shqipëri duke theksuar se rrjedha e procesit po i bie ndesh faktorit ndërkombëtar dhe integrimit të vendit në BE.

Kryeministri ka shtuar se, Shqipëria e shqiptarët janë ata që humbasin më shumë nëse reforma nuk miratohet, ndërkohë që kërkesa e PD-së për mospërfshirjen e ndërkombëtarëve është një vetëndëshkim për PD-në dhe Shqipërinë e shqiptarët.