Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i bëri thirrje këtë të premte kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të takohen ditën e hënë, për t'i dhën zgjidhje reformës në drejtësi.
Porosia e Lu ishte që dy liderët të mos ngrihen nga tryeza pa reformën në drejtësi. "Propozoj një zgjidhje të thjeshtë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme. Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi. Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë", u shpreh Lu, gjatë një konference për shtyp nga ambasada e SHBA në Tiranë.