http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pritja e planifikuar mes Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe ambasadorëve shqiptarë, pasditen e së enjtes, është anuluar në minutën e fundit.Takimi i kreut të shtetit me përfaqësuesit diplomatikë, ishte pjesë e aktiviteteve të parashikuara nga Protokolli i Shtetit. Ambasadorët do të priteshin nga Nishani, pas takimeve qe kishin kryer me kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Meta. Ambasadorët, të shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, kishin hyrë në sallën e madhe të Presidencës, ku të mbahej takimi. Nga Ministria e Jashtme, bëhet e ditur se pas një pritjeje disaminuteshe, nga stafi i kreut të shtetit, u komunikua se takimi nuk do të zhvillohej, për shkak të një angazhimi të papritur të Presidentit. Pas këtij lajmi, ambasadorët, së bashku me ministrin Bushati, janë larguar. Ndërkohë, Presidenca nuk ka dhënë asnjë informacion mbi arsyen e anulimit të takimit. Përgjigja ishte vetëm një ?No Comment?.Por burimet bëjnë te ditur se anulimi mësohet erdhi per shkak te prezencës se të ngarkuarit me punë të qeverisë shqiptare në Vatikan Visar Zhiti, emër të cilin Nishani, refuzoi ta dekretonte si ambasador pranë Selisë së Shenjtë. I kontaktuar nga Vizion Plus, Zoti Zhiti nuk pranoi të fliste, por jashtë kamerave, rrëfeu sesi ambasadorët u njoftuan për anulimin e takimit.Ky incident, thellon përplasjen mes Presidentit Nishani dhe qeverisë, në mënyrë të veçantë me Ministrinë e Jashtme.