Report TV - Gjykata Kushtetuese rrëzon ''kontributet'' për profesionet e lira

2016-09-19 5

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar rritjen e pagesës së kontributeve për profesionet e lira, të vendosur nga Qeveria në janar të këtij viti. Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata bëri me dije se pranoi kërkesën e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për heqjen e pagës referencë, që rriste dukshëm kontributet për profesionistët e lirë. Në njoftim theksohet se Gjykata vendosi Shfuqizimin e nenit 4 të ligjit të ri ?Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë? dhe VKM-së ?Për përcaktimin e pagës mujore referencë. Duke vendosur pagat referencë, Qeveria thuajse trefishoi kontributet shoqërore dhe shëndetësore që këto profesione duhet të paguanin.

Duke nisur nga muaji janar të gjithë individët që ushtrojnë një nga 23 profesionet e lira nisën të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në bazë të pagës së re referencë.

Në profesionet e lira përfshihen avokatët, noterët, mjekët, kontabilistët, stomatologët, arkitektët, farmacistët dhe disa kategori të tjera profesionistësh të vetëpunësuar. Deri vitin e shkuar këta individë paguanin kontribute për sigurimin shëndetësor, me normën prej 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44 000 lekë. Vendosja e pagave referencë u kundështua ashpër nga disa grupime biznesi, ndërkohë që ishte Shoqata e Avokatëve ajo që e dërgoi ligjin e ri për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.