Më shumë se 30% e bizneseve nuk transmetojnë të dhënat e kasave fiskale në administratën tatimore. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së financave, në qershor 2016, numri i kasave mos transmetuese në total arrin në më shumë se 57 mijë.
16 mijë prej këtyre kasave i përkasin biznesit të madh, 32 mijë biznesit të vogël, dhe 9 mijë biznesit të vogël me TVSH.
Ndërsa numri total i bizneseve aktive sipas QKR, është 190 mijë, numri prej 57 mijë kasash mos transmetuese është shumë i lartë, duke zënë një të tretën e totalit.
Për periudhën, janar qershor 2015, numri i kasave mos transmetuese arrinte më shumë se 153 mijë. Por me gjithë reduktimin në 57 mijë, numri i tyre mbetet ende mjaft i lartë.
Duket se ky është edhe një prej shkaqeve kryesorë të rikthimit të betejës kundër kuponit tatimor, i sapo shpallur nga Ministria e Financave. Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka paralajmëruar nisjen më 1 gusht të betejës së dytë kundër evazionit me kuponët tatimorë.
Ai tha se ende shumë biznese nuk presin kuponë në bazë të xhiros reale, ndërkohë që ekziston gjithashtu një numër mjaft i madh kasave fiskale jofunksionale.