Një aksident rrugor me pasojë vdekjen ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në rrugën "Jordan Misja" në kryeqytet. Një automjet ka përplasur tre persona, nënën dhe dy fëmijët e saj, teksa po tentonin të kalonin rrugën.
Nëna e fëmijëve ka marrë plagë të rënda në trup nga aksidenti dhe për pasojë ajo ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa gjendja shëndetësore e dy fëmijëve të saj, paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. Makina e përfshirë në aksident ka qenë një "Mercedez-Benz" ngjyrë gri me targa AA 476 GL.
Automjeti i përfshirë në aksident është në pronësi të Dhimitër Oneas, 45 vjeç, nga Delvina i cili është shpallur në kërkim nga policia, ndonëse nuk dihet me saktësi nëse ka qenë ai në drejtimin e automjetit gjatë aksidentit.
Report Tv transmeton pamjet ekskluzive nga aksidenti i tmerrshëm në rrugën "Jordan Misja", në Tiranë. Në pamje duket qartë momenti i përplasjes së nënës me dy fëmijët e saj, ndërsa automjeti jo vetëm që nuk ndalon, por edhe xhiron gomat mbi gruan e aksidentuar e ikën me shpejtësi nga vendngjarja.
Dëshmitar në vendngjarje ka qenë gazetari i Kronikës në Report Tv, Arsen Rusta, i cili bën me dije se makina ishte duke lëvizur me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit. Ai thotë se qytetarët i kërkuan drejtuesit të mjetit të ndalonte, por pikërisht në këtë kohë ai ka rritur shpejtësinë duke xhiruar gomat mbi trupin e një prej të aksidentuarve.
"I kërkuan qyetarët të ndalojnë, por ai nuk e bëri. Në ato momente shpejtësia ishte mbi 70-80 km në orë. Shoferi i mjetit xhiroi gomat mbi trupin e të aksidentuarës. E tmerrshme. Ky person duhet të dalë para ligjit dhe të ndëshkohet siç e parashikon ligji. Një skenë tmerruese na u afrua. Një efektiv policie ishte aty pranë dhe nuk përdori armën, pasi nuk i lejohet ta përdorë armën në ambientet publike", theksoi gazetari i Report Tv, Arsen Rusta.