Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të diele në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Tre persona që gjendeshin në bordin e mjetit, janë lënduar prej të cilave, një në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në hyrjen jugore të Parkut Natyror të Viroit në km e 3 rreth orës 17:30. Automjeti tip Hyundai me targa greke ZYY1595 është përplasur me bordurën anësore në aksin nacional në të dalë të liqenit të Viroit.
Shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesja, një grua rreth 50 vjeçe. Ajo ka pësuar dëmtime të lehta në fytyrë, ndërsa një pasagjere tjetër e cila mendohet të jetë vajza e saj gati 13 vjeçe, ka dëmtuar nofullën dhe thyer tërësisht pjesën e përparme të boshtit dentar.
Ndërsa në gjendje të vështirë, ka qenë 15 vjecarja e cila është nxjerrë nga automjeti pas disa minutave për shkak të izolimit në kabinën e mjetit si pasojë e deformimit të mjetit nga përplasja.
Është dashur 20 minuta punë intensive nga ana e PMNZSH me sharra dhe mjete të tjera, që vajza 15 vjeçare të dilte me sukses nga kabina e izoluar. Ajo ka thyer disa vertebra, qafën dhe hemoragji në pjesët e brendshme. Të lënduarit janë transportuar për në Spitalin e Gjirokastrës.
Automjeti shkonte në Greqi ndërkohë që për gati 45 minuta, aksi nacional, është bllokuar tërësisht duke krijuar një radhë gati 7 km në të dy krahët.