Report TV - Rishfaqen detyrimet e prapambetura ndaj biznesit, borxhi 20 milionë USD

2016-09-19 0

Muajt e parë të këtij viti kanë shënuar rikthimin e detyrimeve të papaguara të Qeverisë ndaj bizneseve për llogari të punëve publike. Ministria e Financave ka bërë publike detyrimet e reja të krijuara ndaj kompanive private, të cilat arrijnë në total 2.3 miliardë lekë, rreth 20 milionë dollarë deri në muajin prill.

Pjesa më e madhe e këtij borxhi të ri, i takon Ministrisë së Transporteve, e cila nuk u ka paguar bizneseve një shumë prej 1.6 miliardë lekësh. Pjesa dërrmuese e detyrimeve në vlerën 908.8 milion lekë, është akumuluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizime dhe aparati i kësaj Ministrie.

Detyrime të konsiderueshme të papaguara janë akumuluar edhe nga Ministria e Ekonomisë, e cila u detyrohet bizneseve në total 248 milionë lekë. Ministria e Drejtësisë është një tjetër institucion që ka akumuluar një shifër të konsiderueshme detyrimesh të prapambetura prej 142 milionë lekësh. Detyrime të reja kanë krijuar dhe Ministria e Financave, ajo e Mjedisit, e Integrimit, e shëndetësisë, si dhe e Arsimit.

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, të cilat në vitin 2013 arrinin në rreth 700 milionë dollarë ishte një prej sfidave dhe premtimeve kryesore të Qeverisë së majtë. Një pjese e mirë e tyre u shlyen në vitet 2014 ? 2015. Ndërkohë që rishfaqja e tyre këtë vit, u konsiderua si problem nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.