Report TV - Dosja 'Rinas',Prokuroria sekuestron kontratën e TIA e rregulloren e ICTS

2016-07-19 4

Prokuroria sekuestron një sërë dokumentesh që mund të çojnë në zbardhjen e grabitjes spektakolare në Aeroportin ?Nënë Tereza?. Bëhet fjalë për kontratën e koncesionarit TIA që menaxhon aeroportin e Rinasit, kontrata e nënkontraktorit të sigurisë private ICTS, rregulloret e funksionimit të brendshëm të sigurisë në aeroport si dhe roli i çdo punonjësi që ka lidhje direkte me pistën e avionëve dhe sallat e komandimit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ky dokumentacion do të kalojë në sitën e prokurorisë për të parë nëse ka patur apo jo shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave të sigurisë ditën që është kryer grabitja në Rinas.

Po ashtu prokuroria ka sekuestruar tashmë të gjithë letër këmbimin e komisariatit të policisë së Rinasit, koncesionarit TIA dhe Autoritetit të Aviacionit Civil në lidhje me shqetësimet e ngritura prej më shumë se dy vitesh për mungesë të kamerave të sigurisë.

Një tjetër dokument i cili është kërkuar nga hetuesit është dhe raporti i realizuar më 20 Prill 2016 nga aviacioni civil dhe policia e shtetit për testet e sigurisë në Rinas, ku rezulton se në aeroport është futur tritol, armë e ftohtë dhe është hapur porta e karburanteve pa u vënë re nga askush e njëjta portë në të cilën u futën dhe grabitësit.

Një vlerë të veçantë për hetimet do të ketë edhe marrja në pyetje e Shefit ekzekutiv të aeroportit Rolf Castro Vasques dhe dy administratorët e kompanisë përgjegjëse për sigurinë Panajotis Kamboroglu dhe Eno Bushi. Seanca e marrjes në pyetje do të konsistojë në bashkëpunimin që kanë patur me strukturat policore dhe shërbimet informative vendase për marrjen e masave të sigurisë në aeroport.