Anëtarët e komisionit të reformës nuk kanë dijeni për formulën e re të Partisë Demokratike, për 4 institucionet e drejtësisë, pavarësisht se opozita pretendon se e ka dorëzuar 17 ditë më parë.
Sipas përfaqësueses socialiste në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Vasilika Hysi, kjo formulë po del jashtë negociatave.
"I gjithë procesi nuk mund të jetë jashtë negociatave. Në rast se kolegët janë tërhequr nga vendet e rezervuara më vjen mirë. Shpresoj që ata të kuptojnë se ne duam të zgjidhim problemin e gjyqësorit. Të ndërtojmë një proces që të jetë efiçent. Ju keni një lajm që unë sot nuk e kam. Ne nuk i nxjerrim negociatat në ankand. Kuadri ku do të negociohet do të jetë Komisioni i Venecias", u shpreh Hysi.
Kjo deklaratë e Hysit u bë pas mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar, ku u diskutua për rolin e Prokurorisë së Posaçme në luftën ndaj korrupsionit, i cili do të jetë edhe misioni i kësaj strukture.