Dhjetë persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit 24 orët e fundit në lidhje me grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit me 30 qershor.
Një fakt i tillë është konfirmuar për Report Tv, nga burime të Policisë së Shtetit që thanë se tashmë në total numri i personave të shoqëruar ka shkuar në mbi 50 vetë. Ndër të pyeturit janë një grup prej 7 personash nga zona e Niklës mes të cilëve edhe vëllai i Durim Bamit, Valter Bami 30 vjeç nga fshati Zezë, i Niklës në Fushë- Krujë.
Pasi është pyetur e ripyetur prej hetuesve në Durrës e Krujë, ai është lënë i lirë, pasi alibia e dhënë prej tij ishte e besueshme dhe e plotë. Po kështu edhe personat e tjerë të shoqëruar në Nikël, janë lënë të lirë duke qenë se ata kanë pasur qëndrim përgjithësisht të njëjtë gjatë intervistimit dhe se alibitë e tyre janë konfirmuar nga verifikimet.