Brenda 15 ditëshit të parë të këtij muaji strukturat në bazë të Partisë Demokratike do të votojnë për zgjedhjen e të paktën 35 kryetarëve të degëve në të gjithë vendin.
Ndërsa ky proces u shoqërua me kundërshti të forta të ish-kryetarëve në 21 degët ekzistuese dhe për krijimin e 14 degëve të reja, ky proces tashmë është drejt përfundimit.
Sipas urdhrit të kryetarit Basha që mban datën 29 prill, brenda 30 qershorit strukturat në bazë do të mbyllnin procesin e riorganizimit për të futur në garë procesin për zgjedhjen e kryetarëve të rinj.
Nënkryetari i PD, Edi Paloka, i cili drejton procesin për Tiranën në disa degë të saj, thotë se tashmë procesi është në një tjetër fazë atë të votimit dhe zgjedhjes së kryetarëve të degëve.
Tashmë drejtuesit e grupeve të punës kanë raportuar pranë kryetarit Basha për këtë proces që zgjati 2 muaj.
Pas humbjes së zgjedhjeve lokale në pjesën më të madhe të bashkive, kryetari i PD dhe pas vendimit të kryesisë së PD vendosën për të çuar në proces zgjedhor 21 degë ekzistuese të PD si dhe duke krijuar 14 degë të reja.
Kjo mënyrë riorganizimi i strukturave të PD solli edhe largimin e kryetarëve në degët ekzistuese, për të cilët u la e hapur mundësia e rikandidimit brenda strukturave.