Rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, është gjetur një automjet në ujrat e liqenit të Shkopetit në aksin rrugor Burrel-Milot, në vendin e quajtur Vabli.
Ka qenë një nga peshkatarët e zonës ai që ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje, ku nga hetimet ka rezultuar se, automjeti i rënë në ujë është me targa të qytetit të Lushnjës.
Polumbarët u zhytën në 24 metra thellësi, duke gjetur kështu makinën e cila ishte e zhytur në llucën e liqenit dhe kane konfirmuar se nuk ka persona në makinë.
Vetëm pak metra larg kësaj makine, ata kanë gjetur edhe një mjet tjetër i cili dyshohet të jetë ai i rënë para dy viteve, i cili pati të njëjtin fat dhe të njëjtën histori.
Sipas të dhënave paraprake, policia dyshon se, me këtë makinë mund të jetë bërë ndonjë vjedhje ose vrasje dhe është hedhur në ujrat e liqenit.
Pritet te vijë një vinxh, për nxjerrjen e makinës e cila ra sot dhe nuk dihet nëse do vendoset për ta nxjerrë edhe makinën tjetër.
Policia saktëson se, automjeti i gjetur në liqen është me targa nga qyteti i Lushnjes, por bëhet e ditur se vetëm targa AA 969 ND i përket M.D nga ky qytet, por jo automjeti.