Gjykata e Krujës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 4 punonjësit e ICTS dhe një të "Nazeri 2000", me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas grabitjes së rreth 1 milionë euro në aeroportin "Nënë Tereza" mesditën e 30 Qershorit. Me vendimin e marrë sot, gjykata ka lënë në burg punonjësit e ICTS Arben Karafili, Bledar Blloshi, Kujtim Picari, Fadil Jonuzaj si dhe kryetarin e degës Teknike të Aeroportit, Vangjel Nikolla.
Për pesë punonjësit e kompanisë së sigurisë ICTS dhe "Nazeri 2000" në aeroportin e Rinasit, masat u zhvilluan nga gjyqtare Nazmije Pengili pasi gjyqtarja Enkelejda Hoxha dha dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit që kish me avokatin mbrojtës Fatmir Brraka.
Report Tv ndoqi ekskluzivisht seancat e masave të sigurisë në një transmetim direkt nga Gjykata e Krujës. Pesë të akuzuarit nuk thanë asnjë fjalë para gjykatës në lidhje me grabitjen dhe reagimi i vetëm ishte i avokatit Vladimir Meçe.