Detaje të reja kanë dalë në dritë sot nga Policia e Shtetit sa i takon grabitjes së rreth 1 milion eurove në aeroportin e Rinasit, ku ekspertët kanë gjetur një paruke në afërsi të vendit ku u gjet automjeti i djegur.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se, në vendin e ngjarjes është gjetur po ashtu edhe disa sende dhe objekte të tjera të cilët janë dërguar nga ekspertët për ekzaminim në mënyrë që pas ekspertizës këto mjetet dhe objekte të shfrytëzohen për zbardhjen e identitetit të personave që mund ti kenë përdorur.
Konkretisht, në paruken e gjetur janë marrë disa fije flokësh dhe kampionë djerse që dyshohet se i përkasin njërit prej personave të përfshirë në grabitje.
Ndërkohë, sa i takon hetimeve, ekspertët janë duke punuar mbi një grup të strukturuar kriminal nga Tirana dhe jo nga Thumana, siç dyshohej në fillim të ngjarjes.