Report TV - Krasniqi: Nëse pengohet reforma BE- SHBA nxjerrin dosjet e korrupsionit

2016-07-17 0

"SHBA kanë të gjitha dosjet e korrupsionit në Shqipëri dhe unë nuk e quaj fyerje nëse SHBA publikon këto kopje, siç kanë bërë në Bjellorusi apo dhe në vende të tjera si Gjeorgji". Kështu shprehet politologu i njohur, Afrim Krasniqi, duke iu referuar qëndrimeve të klasës politike ndaj reformës në drejtësi.

I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv, Krasniqi tha se shpresa e vetme për të votuar reformën në drejtësi janë BE e SHBA.

Nëse bllokohet reforma, la të kuptohej ai, SHBA dhe BE do të publikojnë dosjet e korrupsionit për politikanët siç kanë bërë në Bjellorusi apo dhe në Gjeorgji.

"Shpresa jonë e vetme për miratimin e reformës është presioni amerikan. Nëse zv/presidenti amerikan, Joe Biden, vjen në Tiranë. Apo vizita e Victoria Nuland, janë në këtë funksion. Perëndimi ka pranuar se SHBA do të ketë rolin kryesor në reformën në drejtësi dhe ky nuk është një investim për të lënë një reformë të rëndësishme në dorën e disa aventurierëve politik. SHBA kanë të gjitha dosjet e korrupsionit në Shqipëri dhe unë nuk e quaj fyerje nëse SHBA publikon këto kopje, siç kanë bërë në Bjellorusi e Gjeorgji. Në Shqipëri nëse publikohet një listë e tillë, ata njerëz bëhen menjëherë pakicë", u shpreh Krasniqi.

Ai kritikoi qasjen e PD ndaj reformës, duke theksuar se ka treguar mungesë serioziteti gjë që ka çuar edhe në cenimin e marrëdhënieve me SHBA. Sipas tij, PD vazhdon të paguajë çmimin e kalkulimeve të gabuara që prej zgjedhjeve të 2013-ës, për shkak të problemeve të brendshme.

"Nuk mendoj se është raporti i PD me SHBA, aq më tepër me ambasadorin e SHBA. Është problemi i PD me veten e saj, problematikat e saj të brendshme serioze. Një opozitë që ka humbur zgjedhjet, duhet të tregojë seriozitet në paraqitjen e platformave të saj dhe perspektivën e zhvillimit. Në këtë lloj situate, opozita bëri krejt të kundërtën. Sepse vazhdon të paguajë çmimin e kalkulimeve të gabuara të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Preteksti, njëherë ambasadorja e BE, njëherë ambasadori i SHBA, e vërtetë është se kjo parti nuk po arrin të shikojë përtej vetvetes. Nëse PD shprehet sot se jam "pro" reformës në drejtësi, unë jam i bindur se pala tjetër do të thotë që s'jam dakord për reformën në drejtësi. Ne patëm një zhvillim të paprecedentë në politikën shqiptare, kur pranuan vizitë në grupet parlamentare. NË PD, z.Basha dha garanci se e mirëpret vizitën ishte për të thënë se ne po vijmë për t'iu sqaruar dhe nga ky takim kërkojmë votën nominale për reformën në drejtësi. Kur ke rënë dakord dhe ndërron mendje pas një muaji, kjo është mungesë serioziteti. Ndaj, adresimi është në drejtim të kryetarit të PD. Pavarësisht se kush i merr vendimet në PD, z.Basha është kryetar i PD", u shpreh Krasniqi.