Report TV - Durrës, egjiptiani merr peng anijen, Policia: Kërkon 70 mijë €

2016-07-17 4

Anija e peshkimit ?Celepia 2? e zhdukur që prej mesnatës së djeshme është marrë peng nga një prej marinarëve të saj, shtetasi egjiptian Adel Mohamed Sallam 30 vjeç.
Ky fakt konfirmohet nga policia e Durrësit e cila sqaron se shtetasi egjiptian e ka marrë peng peshkarexhën bashkë me dy peshkatarë shqiptarë, pasi pronari i mjetit, Murat Çelepia, i ka një borxh prej 70 mijë eurosh, të cilin nuk ia ka shlyer.

Adel Mohamed Sallam gjatë paradites së sotme ka marrë në telefon një bashkëkombas të tij që punon në portin e Durrësit dhe i ka pohuar se anija ndodhet pranë portit Alekasandrisë.

Ai ka kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me dy marinarët, nëse nuk i kthehet borxhi prej 70 mijë eurosh.

Zhdukja e anijes ?Celepia 2? është denoncuar nga pronari i saj Murat Çelepia, i cili ka pohuar se nuk ka asnjë kontakt me stafin e anijes që prej orës 24:00 të datës 21 qershor.

Veç 30 vjeçarit egjiptian në bordin e anijes ndodhen edhe 2 marinarë shqiptarë, Luan Mema 56 vjec motorist dhe Dhimiter Maja 54 vjeç kapiten e anijes.
Ndërkohë policia Kufitare, sapo është njoftuar për zhdukjen e anijes ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetet lundruese.

Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare janë koordinuar me Rojen Bregdetare. Mjeti lundrues me tre antare në bord ka dalë për lundrim që prej datës 18 qershor dhe vetëm orët e vona të 21 qershorit pjesëtarët e ekupiazhit kanë humbur kontaktet me kapitenerine e portit dhe familjarët. Këta të fundit përmes medias bëjnë apel për gjetjen e të afërmve të tyre.

Sakaq dhe një tjetër anije peshkimi rezultoi e zhdukur për disa orë. Peshkarexha ?Qamili? me kapiten Qazim Kodrën për orë të tëra gjatë paradites së sotme ka humbur kontaktet me kapitenerinë e portit të Durrësit. Më vonë është vendosur kontakti dhe rezultoi se anija ndodhej në grykëderdhjen e Bunës dhe nuk kishte asnjë problem.