Report TV - IKMT vijon aksionin në Vlorë shemb resortin "Saint Tropez"

2016-07-17 5

Ka vijuar ne ditën e tij të dyte aksioni i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) në Vlorë, për prishjen e objekteve përgjatë bregdetit. Referuar problematikave të një dite më parë, shoqëruar edhe me përleshje mes banorëve dhe policisë, në ditën e dytë, me rrëzimin përtokë të objektit "Saint Tropez", situata ka qenë disa herë më e qetë, ndërsa objekti është liruar më parë nga vetë pronarët.

IKMT ka qenë e shoqëruar dhe në ditën e dytë të aksionit nga forca të shumta të Policisë dhe FNSH, ndërsa është bërë i mundur dhe rrëzimi i objektit të dytë, nga godinat e parashikuara për tu hedhur përtokë.

Në këtë zonë, objektet janë prekur nga projekti i lungomares, ndërkohë që pronarët kanë kundërshtuar aksionin e nisur për shkak të vlerës së parashikuar për shpronësimet, që sipas tyre është shumë herë më e vogël se vlera reale në treg.

Ndërkohë aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, me objektin Sunset ose quajtur ndryshe ish-Vefa në Vlorë, aty ku pritet të ketë kundërshtime, pasi pronarët e objektit kanë konfirmuar se nuk do të largojnë asgjë nga godina e tyre e cila ka vijuar të mbetet funksionale edhe gjatë ditës së martë, pavarësisht paralajmërimit të IKMT për ndërhyrje gjatë paradites së të mërkurës.

Pronaret e këtij objekti kanë konfirmuar për mediat se nuk janë dakord me vlerën e shpronësimeve të premtuara nga qeveria shqiptare, vlerë e cila është shumë herë më e vogël se investimi që ata kane kryer ndër vite.

Aksioni i dy ditëve të fundit të IKMT është quajtur i paligjshëm nga pronarë të objekteve që preken, ku sipas tyre është ndryshuar totalisht projekti, ndërsa vlera e shpronësimeve është disa herë më e ulët se vlera reale e tyre në treg. Gjithsesi edhe gjatë ditës së tij të dytë në Vlorë, aksioni ka vijuar me prishjen dhe hedhjen përtokë të objekteve që preken nga projekti i lungomares.