Minuta e 44' e pjesës së parë në ndeshjen Shqipëri-Rumani do të memorizohet në kujtesën kombëtare të shqiptarëve si momenti historik kur Shqipëria shënoi golin e parë në Europian, i cili u përkthye në një fitore epike. Ishte ky një moment që ka drithëruar zemrat e çdo shqiptari e që i ka mbushur me emocion pa fund e deri në lot gëzimi.
Goli i Armando Sadikut në portën e rumune, është përjetuar dyfish më shumë me emocione nga familjarët e futbollistit të kombëtares shqiptare, elbasanasit me origjinë Çame, Sadiku, i cili mbrëmjen e së dielës u kthye në njeriun më të dashur për çdo shqiptar.
I ati i Armandos, Durim Sadiku, rrëfen emocionet e këtij momenti ndërsa thotë se një ditë para ndeshjes Armando i kishte bërë një premtim në emër të Shqipërisë dhe tifozëve se do të shfrytëzojë çdo minutë në fushë për të shënuar rezultati pozitiv.