Zëdhënësi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, u shpreh gjatë një lidhje telefonike për Report Tv, se kombëtarja është gati për përballjen me Rumaninë. Ai u shpreh optimist për një rezultat pozitiv sonte në stadiumin e Lyon-it, nëse kombëtarja do të luajë si në dy ndeshjet e para, atë ndaj Zvicrës dhe Francës.
"Nëse ne do të luajmë ashtu siç luajtëm ndaj Zvicrës, apo orën e parë të ndeshjes ndaj Francës, sigurisht që kemi mundësi. Sepse realisht kemi zhvilluar ndeshje të mira. Duhet të jemi konkret përpara portës. Është punuar shumë në pjesën psikologjike. Në do të tregojmë shanset tona, duke qenë më konkret. Kemi gabuar në episode të cilat në europian janë shumë të rëndësishme. Prandaj, o sot o kurrë", u shpreh Kokona.
Zëdhënësi i FSHF tha se në stadium priten të jenë mbi 15 mijë tifozë kuqezinj, çka dëshmon rëndësinë e këtij takimi, jetik për qëndrimin e kuqezinjve në "Euro 2016". "Në stadium do të jenë rreth 15 mijë tifozë. Ndeshja është deçizive për qëndrimin e mëtejshëm të skuadrës tonë në Francë. Ka shumë përqendrim dhe diskutime mes lojtarëve të stafit", tha ai.
Në orën 19:20, kombëtarja niset drejt stadiumit të Lyon-it, ku edhe do të zhvillohet ndeshja në orën 21:00.