Report TV - Detaje nga plagosja për parkimin në Kavajë, Kurti pranon krimin

2016-06-18 1

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e policisë mbi plagosjen e Eqerem Kazazit dhe të birit Erkid një ditë më parë në qytetin e Kavajës. Sipas policisë autori ish-drejtori i zyrës së punës ka pranuar krimin para oficerëve të policisë

Sipas burimeve nga policia Kurti ka thënë se nuk ka patur qëllim të lëndojë asnjeri ndërkohë që është shprehur se ka dashur vetëm t'i kërcënojë për ti trembur. Dëshmia e Kurtit përkon plotësisht me atë qtë dëshmitarëve të tjerë që kanë treguar dinamiken e perplasjes.

Policia i ka referuar prokurorisë së Kavajës dosjen me të gjitha detajet e ngjarjes ku Kurti akuzohet për 3 vepra penale aktualisht, vrasje e mbetur në tentativë, plagosje e lehtë me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Saimir Kurti, njihet si një prej mbështetësve të kryebashkiakut Elvis Rroshi dhe pjesë e strukturave të PS-së në Kavajë. Po kështu, mësohet se Kurti ka mbajtur edhe postin e ish-drejtorit të Zyrës së Punës në këtë qytet. Ai ka dhënë dorëheqjen në 19 mars 2014. Kurti e konsideroi si shpifje, denoncimin e Partisë Demokratike, sipas të cilës ai ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Drejtori i dorëhequr, theksoi se nuk ishte e vërtetë që ai ishte në kërkim për kontrabandë madje tha se do ta ndiqte gjyqësisht shpifjen.