Mazhoranca qeverisëse, pas mbështetjes publike nga ana e amerikanëve, ka vendosur të përshpejtojë hapat për miratimin e draftit për Reformën në Drejtësi në Parlament. Tre partitë kryesore në mazhorancë, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU kanë shprehur vullnetin për përfshirjen e projektit kushtetues në axhendën e punimeve të Kuvendit. Teksa negociatat për të gjetur rrugën e konsensusit vijojnë me intensitet, 33 ligjvënës kanë firmosur për përfshirjen e Reformës në Drejtësi në procedurat parlamentare. Përpos 31 deputetëve të Partisë Socialiste, drafti është firmosur edhe nga deputeti i PDIU Tahir Muhedini dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Disa ndër ligjvënësit socialistë që kanë firmosur janë; Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Namik Dokle, Alfred Peza, Fatmir Toçi, Musa Ulqini, Olta Xhacka, Artan Gaç, Mimoza Hafizi, Namik Kopliku, Shkëlqim Cani, Erion Braçe etj.