Report TV - Dhrami, një statujë të Lasgush Poradecit për Liqenin e Tiranës

2016-06-15 9

Një skulpturë e Lasgush Poradecit e përshtatur për tu vendosur në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës po merr jetë në studion e artistit të madh Muntaz Dhrami. Skulpturat e Parqeve ende mungojnë, por artisti që ka gdhendur bustet e shtatoret e heronjve të kombit gjithë jetën e tij, këmbëngul që parqet publike të pasurohen edhe me yjet e letërsisë, artit dhe kulturës. Ende nuk ka gjetur shumë mbështjetje ideja e tij, por në studion e Muntaz Dhramit skulpturat e Dritëro Agollit, Vaçe Zelës e të tjerëve duket sikur janë në pritje të parkut ku do të vendosen. Me skulpturën e Lasgush Poradecit ka më shumë se dy vjet që po punon.

Motive të shumta shpirtërore e e artistike e lidhin skulptorin Muntaz Dhramin me poetin e madh, edhe pse në jetën e tij e ka takuar vetëm një herë. E shohim që punon i emocionuar, duke djegur njëra pas tjetrës edhe cigaret në buzë. Është pasdite vonë dhe ai ende punon në studion e tij. Me mollëzat e gishtave që nuk rehatohen kurrë skulptori i jep jetë baltës dita- ditës, të duket sikur ndjen të gjallë frymëmarrjen drithëruese të poetit. Ndjen se ke dëshirë të ulesh në këtë stol pranë Lasgush Poradecit e pastaj të rrish e të lexosh një libër në park pranë tij. Ai duket si i gjallë me këtë vështrim zhbirues e nënqeshje të lehtë ironike nën buzë. Duket ashtu siç na e ka rrëfyer Ismail Kadareja në kujtimet e tij, kur përshkruan takimet dhe bisedat e trazuara me poetin shpirtrebeluar. Kadareja ka ardhur edhe vetë ta shoh këtë skulpture, rrëfen skulptori Muntaz Dhrami.

Pas gjithë kësaj pune, skulptori i njohur shpreson që një ditë Lasgush Poradeci i derdhur në bronz do të takohet me njerëzit, te parku i Liqenit të Tiranës, pikërisht në rrugën që mban emrin e tij, për të qenë aty në përjetësi. Muntaz Dhrami njihet tashmë nga të gjithë edhe si autori i njërës prej shtatoreve më të bukura të Lasgush Poradecit, asaj që është ngritur në shëtitoren e Pogradecit.