Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngrirë marrëdhëniet me opozitën shqiptare, pas pozicionimit të kësaj të fundit kundër draftit të ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi. Që pas deklaratës së fortë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila veshi me përgjegjësi opozitën për mungesë fleksibiliteti dhe dështimin e negociatave për finalizimin e reformës, mes amerikanëve dhe Partisë Demokratike është ndërprerë komunikimi.
Të paktën kështu mësohet se ka deklaruar kryetarit i opozitës, Lulzim Basha, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke konfirmuar kësisoj edhe fillimin e izolimit ndërkombëtar të opozitës. I pyetur nga deputetët e Partisë Demokratike, mbi raportet me ndërkombëtarët, sidomos me Ambasadën Amerikane, Basha ka deklaruar se nuk ka pasur më asnjë kontakt dhe komunikim. Sipas burimeve, në mbledhje nuk kanë munguar as akuzat në adresë të SHBA-BE, çka u reflektua edhe në deklaratën e fundit të Bashës, i cili akuzoi amerikanët se po tentojnë t?i mbivendosen Komisionit të Venecias.