Report TV - Meta: Reforma në Kuvend edhe pa vullnetin e PD, jo referendum

2016-06-14 2

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së LSI se, insiston për arritjen e konsensusit mes PD dhe PS. Kryetari i LSI theksoi se forca politike që ai drejton ka insistuar që në krye të herës për konsensusin e reformës në drejtësi. Ndërsa kërkon edhe reflektimin e mazhorancës për kërkesat e opozitës, Meta shtoi se reforma do të shkojë në Kuvend edhe pa vullnetin e PD.

"Reforma shkon në Parlament edhe pa vullnetin e Partisë Demokratike", deklaroi Meta. Për reformën në drejtësi palët ndahen vetëm në një pikë atë të vendeve të rezervuara në katër institucione. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, Meta kërkoi dialog të vazhdueshëm PD-PS për t'i dhënë zgjidhje. "LSI konstaton se pas një pune të madhe e të gjatë dhe pas çeljes së dialogut politik, konsensusi i plotë për të gjithë paketën kushtetuese është arritur përveç një çështje të vetme të ngritur me insistim nga opozita. Prandaj, në këto orë dhe këto minuta që kanë mbetur, ne insistojmë për intensifikimin e dialogut politik dhe gjetjen e konsensusit në përputhje me standardet e Venecias", deklaroi Meta.

Kreu i LSI shtoi gjithashtu se është e pakuptimtë dhe qesharake të hidhet në referendum kombëtar reforma në drejtësi vetëm për një pikë të draftit ku palët s'bien dakord. "Referendumi, këtë histori e kemi dëgjuar që në fillim dhe na është dukur shumë absurde sepse s'kemi dëgjuar ndonjë aktor në politikë që të thotë se s'duam reformën në drejtësi. Mund të ketë ndonjë individ. Ka mosbesim të thellë mespalëve të ndryshme, për garantimin e vërtetë të një sistemi të ri të drejtësisë, jo vetëm me integritet e të pakorruptuar por edhe të pa kapur politikisht në të ardhmen", tha Meta.

Kreu i LSI kërkoi votimin e reformës në Kuvend edhe nga opozita, ndërsa shtoi se s'ka asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme.