Report TV - PD ikën nga komisioni Bylykbashi: S'ka konsensus

2016-06-14 3

Partia Demokratike ka braktisur mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ku po diskutohet drafti përfundimtar i kësaj reforme. Edhe pse në këtë mbledhje marrin pjesë edhe ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin, sërish opozita nuk është bindur dhe ka preferuar të dalë nga mbledhja.

Nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, u shpreh se nuk është arritur konsensusi për kërkesat e opozitës. Ai tha se PD i mëshon me forcë adaptimit të rekomandimit numër 88 të Komisionit të Venecias. "Asnjë draft deri më tani nuk pasqyron rekomandimet e Venecias. Pa adaptimin e rekomandimit 88 të Venecias, drejtësia rrezikon të kapet politikisht nga mazhoranca", u shpreh Bylykbashi.

Ndërkohë mbledhja e komisionit të reformës në drejtësi vijon pa përfaqësuesit e Partisë Demokratike.