Report TV - Paloka: Negociojmë për drejtësinë nëse tërhiqet drafti nga Kuvendi

2016-06-10 0

Partia Demokratike i ka kërkuar administratës së Kuvendit që të sqarojë përfshirjen e draftit të reformës në drejtësi në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka u shpreh se opozita është informuar për një gabim të administratës. Sipas tij, përfshirja e draftit nuk është lapsus, por një tentativë e Ramës për të kaluar në fshehtësi reformën në drejtësi.

"Futja e reformës në kalendar në fshehtësi, është një skandal që nuk ka ndodhur në 25 vite. Por, sipas komunikimeve që kemi nga Kuvendi, ende jo zyrtarisht, na është thënë që ka qenë një gabim i administratës. Administrata nuk mund të bëjë gabime të tilla. Nëse rezulton se nuk është gabim i administratës, gjithkush e ka të lehtë të kuptojë se si vepron kjo mazhorancë, si vepron Rama, pa pyetur as për ligje, as për rregulla e as për procedura normale, por me një vendosmëri kriminale për të kryer gjithçka që i intereson, për të shkelur ligjin e rregullat. Ende s'e kemi dorëzuar kallëzimin penal. Po Presim të hiqet nga kalendari 3-javor i Kuvendit reforma në drejtësi. Të shohim nëse do të reagojnë", u shpreh Paloka.

Sipas tij, deklaratat e Ramës dje në Kuvend ishin një dëshmi e qartë se s'do konsensusin me opozitën.

"Edi Rama fliste për përpjekje të tjera për të arritur konsensus, nga ana tjetër bënte kërcënime se do ta bëjmë pa ju, siç e kemi bërë deri më sot. Por nuk mund të jenë deklaratat e dikujt që realisht kërkon të realizojë një reformë që i intereson të gjithë shqiptarëve. Nuk duam të çojmë kokë turku ndonjë punonjës të administratës që mund të përdoret në këtë rast. S'besojmë se është lapsus, por një tentativë e qartë për të falsifikuar kalendarin me urdhër të Ramës", tha Paloka.