Report TV - Kryeministri Rama në konferencë shtypi pas takimit me Bashën

2016-06-06 0

Përfundon pa konsensus takimi mes Edi Ramës e Lulzim Bashës për reformën në drejtësi. Kryeministri Rama tha në mbyllje të takimit se mazhoranca nuk e bindi dot PD-në që të jepte mbështetjen e saj për draftin e ekspertëve të reformës në drejtësi.

Pavarësisht se tryeza dështoi, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se drafti i reformës do të niset direkt për në Kuvend.

"Nuk arritëm ta bindim Partinë Demokratike për të votuar së bashku draftin e shkruar bashkërisht nga partnerët strategjikë, të reformës në drejtësi. Por më vjen shumë mirë t'ju them sot të gjithë shqiptarëve se i bëra të gjitha përpjekjet e mundshme, i bëmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t'iu dhënë kundërshtarëve politikë një mundësi reale, pa cenuar përmbajtjen thelbësore të kësaj reforme. Drafti që kishim në tryezën e diskutimit ishte ai i diskutuar në komisionin e posaçwm të reformës në drejtësi, i shoqëruar nga disa plan pikash nga ekspertë amerikanë e europianë, për të afruar palët. 2/3 që janë kërkuar pa pushim nga PD pas leximit të parë të raportit të Venecias, për habinë e shumë kujt ndoshta, por jo timen, PD e refuzoi këtë ofertë që e barazon shumicën e opozitën në përzierjen me votë të kandidatëve për pozicione të caktuara në sistemin gjyqësor. Që ditën e parë kam qenë jashtëzakonisht më i duruar se asnjëherë tjetër. Të njëjtën gjë ka bërë edhe aleati ynë në qeveri. Nuk kemi dashur që t'i lëmë shteg PD-së për asnjë lloj justifikimi, as në sytë e shqiptarëve as në sytë e komunitetit ndërkombëtar. PD s'ka lënë gurë pa luajtur, marifet pa përdorur, justifikim pa nxjerrë për ta zvarritur këtë reformë dhe për të ndryshuar thelbin e saj", u shpreh Rama.