Report TV - Shqiptarë e francezë zbulojnë gjurmë të reja të Durrësit Antik

2016-06-06 4

Një projekt i Institutit të Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Lionit në Francë ka dhënë rezultate konkrete në qytetin e Durrësit, duke zbuluar të tjera vepra antike të Dyrrahut.

Projekti shqiptaro-francez zbuloi rrëzë murit rrethues të qytetit të Durrësit një varr që i përket shekullit VII ?VIII të erës së re. Bëhet fjalë për një varr të një qytetari të varfër të asaj pasi atij i mungojnë shumë elementë të varreve të asaj kohe sikurse janë inventari i tij,stolitë e të tjerë elemente.

Projekti që ka nisur të zbatohet në vitin 2012 bëjnë me dije pjestarë të ekspeditës arkeologjike. Gjatë javëve të fundit ekspeditat e drejtuara nga prof. Eduard Shehi dhe prof. Catherie Abadie-Reynal po realizohen në tre kantiere.

Në termat publike romake (poshtë Pallatit të Kulturës) po realizohen sondazhe që synojnë të identifikojnë fazat e ndryshme ndërtimore dhe funksionin e tyre. Këtu janë zbuluar struktura që dëshmojnë vazhdimësi kronologjike të rëndësishme për jetën e qytetit antik. Ndërkaq, në lulishten e Mauzoleut të Dëshmorëve po punohet për të kuptuar funksionin dhe datimin e disa strukturave të identifikuar në fundin e viteve 70 të shekullit të kaluar, gërmuar nga arkeologu Fatos Tartari.
Në këtë lulishte është zbuluar një banjo publike romake si ajo që gjendet në themelet e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu".

Harta Arkeologjike e qytetit të Durrësit është në proçes të avancuar dhe është funksionale. Brenda këtij viti synohet përfundimi i saj dhe prezantimi në publik dhe në institucionet të cilat janë palë në këtë projekt.

Plotësimi i Hartës Arkeologjike (GIS) të Durrësit, studimi gjeo-morfologjik, ai gjeofizik si dhe gërmimet arkeologjike, janë synimet kryesore të projektit arkeologjik ?Topografia Epidamn-Dyrrachion?.