Numri i lartë i aksidenteve dhe pasojat e tyre për shkak të infrastrukturës rrugore duket se nuk e ka penguar Drejtorinë e Rrugëve që të lejojë të tjera dëmtime në rrugët nacionale.
Vetëm pak kilometra larg vendit ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti e plagosur nëna e tyre është bërë një tjetër çarje e autostradës.
Në aksin rrugor, Plepa-Golem, pranë Shkëmbit të Kavajës, karburanti Gega Oil ka hequr barrierat anësore për të siguruar dalje në rrugën kryesore.
Edhe pse kjo ishte ndër të paktat rrugë në vend me standarde të larta, kjo nuk ka penguar aspak autoritetet që të lejojnë dëmtimin e saj.
Në këtë pjesë të autostradës, e cila ka përfunduar vetëm dy vite më parë, janë vendosur tabela për shpejtësi 100km/orë, është e bllokuar nga të dyja krahët e saj dhe paralel me të janë edhe rrugët dytësore.
Pikërisht në këtë pjesë të kësaj rruge ku edhe standardet ishin të larta, është bërë heqja e barrierave anësore për t?i krijuar dalje në autostradë pikës së karburantit, që sipas ekspertëve mund të jetë edhe burim për aksidentet.
Në akset rrugore shqiptare ndodhen plot 1070 karburante, hotele, lavazhe dhe njësi shërbimi të cilat kanë akses të paligjshëm me hyrje dalje në rrugët urbane e interurbane, ndërsa 30 prej tyre janë me leje nga autoriteti shtetëror i rrugëve dhe për pjesën tjetër kanë nisur procedurat e mbylljes së aksesit në rrugë.
Mbetet për tu verifikuar nëse dëmtimi në fjalë i këtij aksi është bërë me leje nga Ministria e Transporteve apo subjekti privat ka ndërhyrë pa një leje nga Drejtoria e Rrugëve.