Report TV - Kush është Bledar Muça i cili sot i shpëtoi atentatit të dytë

2016-06-06 29

37 vjeçari Bledar Muça, i cili mbeti i shpëtoi atentatit të dytë në katër muaj, është një personazh i njohur për policinë, ndërsa është një nga të plagosurit e atentatit të muajit shkurt të vitit 2016. Po ashtu edhe Florenc Çapja, mbeti i plagosur në këtë atentat. Muça është një nga personat që është hetuar për vrasjen e Ilir Rexhepit, në qytetin e Elbasanit në vitin 2012. Ky i fundit ishte pronar i shoqërisë së sigurisë private Vullnetari në këtë qytet.

Ai u qëllua me armë zjarri, ndërsa ndodhej brenda veturës së tij. Ai është edhe vëllai i Roland Rexhepit, i njohur me nofkën Doda, ish- agjent i antidrogës në Policinë e Elbasanit i vrarë në vitin 2009.

Por Muça pretendoi se gjatë kohës që kishte ndodhur vrasja e Ilir Rexhepit, ai kishte qenë në Angli. Pas hetimit të kryer policia hodhi poshtë dyshimet se ai mund të ishte autor i vrasjes së Ilir Rexhepit.

Ndërkaq në lidhje me atentatin e muajit shkurt, pavarësisht hetimeve të kryera nga policia, nuk është arritur në identifikimin e autorëve. Ngjarja ndodhi me 3 shkurt në mbrëmje në Elbasan, kur persona të paidentifikuar në unazën e qytetit, qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të lokalit ku qëndronin pjesëtarë të familjes Çapja dhe miq të tyre.

Hetuesit e policisë i kanë përqendruar hetimet në disa pista, ku më e rëndësishmja është ajo që lidhet me hakmarrjen e familjes së ish- efektivit të policisë rrugore të Elbasanit Fadil Mema. Ky i fundit mbeti i vrarë në qytetin e Torinos në Itali në vitin 2015, jo shumë larg banesës së tij. Edhe në këtë rast, hetuesit e policisë italiane dyshojnë se vrasja lidhet me motive hakmarrjeje.

Free Traffic Exchange