Report TV - Takimi Rama-Basha, Mogherini: Të jetë hapi final për 'drejtësinë'

2016-06-05 0

Një ditë para se liderët e politikës kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim basha të ulen në tryezën e dialogut politik për reformën në drejtësi, mesazhi ka ardhur i qartë nga Bashkimi Europian.

Shefja e diplomacisë së BE, Frederica Mogherini, kërkoi që kjo tryezë të shënojë hapin final për reformën në drejtësi. Në një deklaratë për mediat Mogherini e veçon këtë si një moment kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke këmbëngulur në rëndësinë e votimit konsensual të reformës në parlament, shefja e diplomacisë së BE kërkon që ajo të kalojë me të paktën dy të tretat e votave të deputetëve në parlament.

Realizimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të thellë ka qenë për një kohë të gjatë kërkesë e pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Realizmi i saj është gjithashtu vendimtare për hapin e ardhshëm të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.

Kjo reformë kërkon miratimin me dy të tretat e votave në parlament. Çdo deputet i parlamentit të Shqipërisë apo grupim politik duhet të mbajë përgjegjësi të veçantë për votimin e kësaj reforme, miratimi i së cilës do të jetë fillimi i një kapitulli të ri të historisë tonë të përbashkët.

Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian pret nga të gjitha forcat politike të shfrytëzojnë këtë raund përfundimtar të konsultime për miratimin e këtij propozimi. Është moment që të gjithë partnerët tanë politik në Shqipëri të demonstrojnë përkushtimin e tyre për miratimin e kësaj reforme e duke u angazhuar më pas për zbatimin e saj. Këtë presin edhe qytetarët shqiptarë nga udhëheqja politike.

Ja deklarata e plotë e Mogherinit e përkthyer nga Shqiptarja.com.
Reforma gjithëpërfshirëse dhe e thellë gjyqësore ka qenë një kërkesë për një kohë të gjatë e një shumicë dërrmuese të qytetarëve të Shqipërisë.

Është gjithashtu thelbësore për hapin e ardhshëm të vendit drejt integrimit në BE.

Propozimi legjislativ që është tani para Parlamentit reflekton rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe është plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Është thelbësore që propozimi të miratohet me shumicën e kërkuar prej dy të tretave.

Kjo është një votë për cilin çdo anëtar i Parlamentit, të çdo grupi politik mban përgjegjësi të veçantë.

Siç e kam theksuar në Parlament, kur isha në Tiranë kohët e fundit, ky mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri të historisë sonë të përbashkët.

Ajo mund të hapë rrugën për një fillim të ri, dhe kjo është arsyeja pse ne presim të gjitha forcat politike të përdorin raundin përfundimtar të konsultimeve nesër për të miratuar propozimin.

Ne besojmë tek të gjithë partnerët tanë shqiptarë të demostrojnë përkushtimin e tyre për këtë reformë duke miratuar atë dhe duke vënë të gjitha përpjekjet e tyre në zbatimin e saj.

Qytetarët shqiptarë presin që lidershipi shqiptar t'ju ofrojë këtë gjë.