Ish kryeministri Sali Berisha nuk do të hetohet për deklaratat e tij në Kuvend, ku kërkoi armatosjen e shqiptarëve. Partia Socialiste kërkoi nisjen e një procedimi penal në ngarkim të Berishës, pasi komentet e tij u cilësuan si cenim i rendit kushtetues. Por, në një deklaratë për shtyp të Prokurorisë, thuhet se organi i akuzës nuk do ta hetojë Berishën, kjo pasi, sipas argumenteve të Prokurorisë, "deklaratat e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, nga foltorja e sallës plenare, janë bërë në funksion të veprimtarisë parlamentare dhe në përmbushje të fjalës së lirë të opozitës parlamentare".
Organi i akuzës sqaron më tej se deklarimet e bëra prej të kallëzuarit, në cilësinë e deputetit, ndonëse të kryera në ambientet e Kuvendit, gjatë një veprimtarie parlamentare dhe të lidhura me çështjet në debat parlamentar, nuk përmbushin elementët e ndonjë vepre penale.