Piktori i njohur kosovar Gani Bytyçi, i cili ka zgjuar interes në rrethet artistike të Gjenevës dhe në qytetet franceze, do të çel ekspozitën e radhës në Tiranë.
Më 10 qershor ora 19.00, Gani Bytyçi do të ekspozojë në Galeri Art Ak, një pjesë të krijimtarisë së tij që lidhet me terrorin e ushtruar nga serbët gjatë luftës në Kosovë. I njohur edhe si gazetar e poet artisti Gani Bytyçi prezanton nëpërmjet artit piktorik fatin e njeriut dhe të vendit të tij.
Kritikët e artit shprehen se kërkohet përqendrim, koncentrim dhe thellim në tablotë e tij për të kuptuar mesazhin që bartin ato dhe humanizmin që shpreh piktori.
Gani Bytyçi do të ekspozojë vepra të punuara në letër dhe në teknikën e vajit. Pikturat përcillen përmes abstraksionit të mbarsur me metafora dhe imazhe surreale. Shpërthimet surreale të penelatave në pikturën e Bytycit, ndikohen prej temës që trajton piktura, masakrat çnjerëzore që janë bërë në kohën e luftës në Kosovë.
Atmosferë dramatike, shikime nga përtej errësirës, reflekse nga thellësia e shpirtit njerëzor, është ajo që Gani Bytyçi do të na përcjellë nëpërmjet pikturës së tij abstrakte në Tiranë.