Report TV - Sonte mbrëmja e tretë e muzikës Jazz në Bunk'Art, hyrja falas për vizitorët

2016-06-03 2

TIRANË - Në atmosferën e ish-super bunkerit antiatomik të kohës së diktaturës sonte në mbrëmje nga ora 20:00 deri në orën 22:00 Bunk'Art do të jetë vendi i muzikës Jazz. Muzika që regjimi e ndalonte do të performohet në bunkerin antiatomik të komunizmit këtë të premte të tretë pas dy mbrëmjesh të jashtëzakonshme prej 20 Majit. Sonte në Bunk'Jazz do të performojnë Lori's Quartet dhe Gëzim Tivari Quartet, hyrja do të jetë pa pagesë për të gjithë vizitorët.

Në dy mbrëmjet e mëparshme qindra të rinjtë e turistë të huaj kanë shijuar një takim më muzikën dhe historinë por edhe ushqimin e pijet e shërbyera nga zonja Natasha në bufen e Bunk?Art. Ndërsa në sallën e Kuvendit ku do të mbahet dhe mbrëmja e Bunk'Jazz janë vendosur qirinj për të krijuar një atmosferë romantike nën ritmet e muzikës Jazz, swing-standart të viteve 30- 40, 50-70 të shekullit të kaluar por edhe albanian jazz.

Në dy të premtet e mëparshme nën prezantimin e Kristi Ziçishtit performuan JAlbaniaZZ society me "Big Band" dhe "Gent Rushi Quintet".

Për qytetarët është vendosur një linjë autobusi falas që niset në orën 19:00 mbrapa Pallatit të Kulturës drejt Bunk'Jazz ku gërshetimi i muzikës me ekspozitat historike në bunkerin e ish-regjimit komunist, do të sjellë tek publiku një atmosferë të veçantë në natën e tretë.