Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për një "çimka" përgjimi të gjetur në zyrën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Nisja e hetimeve, sqaruan burime nga grupi hetimor për Report Tv, është bërë pas referimit të një materiali nga Policia e Shtetit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.
Të njëjtat burime thanë se "çimka" është gjetur në zyrën e sekretares së Ministrit Tahiri. Përgjuesi ka qëndruar vetëm një ditë në këtë zyrë, pasi kontrolli është bërë një ditë para dhe nuk është hasur ndonjë pajisje e dyshimtë.
Gjithashtu, përgjuesi ka patur kapacitete teknike të kufizuara, pasi rrezatimi i përgjimit nuk i kalonte 20 metra. Ndërkohë, hetimet janë regjistruar pa një emër konkret apo person të dyshuar dhe aktualisht ndodhen në fazën e verifikimit. Ndër provat e këtij hetimi është një aparat e dorëzuar në Prokurori e gjetur te fshehur në zyrën e ministrit e cila dyshohet se ka aftësi përgjimi audio e video.
Më 20 Maj, për një çimka përgjimi në zyrën e Ministrit të Brendshëm Tahiri folur dhe ish Kryeministri Berisha i cili do të shkruante në Facebook, duke deklaruar se ajo ishte gjetur pranë grirëses së letrave në zyrën e Ministrit.
Pas këtij hetimi pritet që oficerët e policisë gjyqësore të ekzaminojnë pajisjen e cila nga të dhënat paraprake dyshohet se kryente rolin e mbledhjes së informacionet e cila transmetohej në një pajisje që qëndronte pranë Ministrisë së Brendshme në zonën e Gardës së Republikës.
Në rast se hetimet do të konfirmojnë përgjimin e paligjshëm të ministrit Tahiri atëherë kjo do të ishte një skandal ndërsa ky hetim është i dyti i nisur pas asaj për një pajisje të pretenduar nga Shërbimi Informativ Shtetëror në përdorim të Policisë për të përgjuar persona të tjerë përfshirë edhe zyrtarë.
Por ky pretendim është mohuar nga zyrtarë të Policisë dhe vetë Tahiri, ndërsa hetimet e akuzës prej dy javësh ende nuk kanë një rezultat.
Ndërkohë, disa muaj më parë edhe Presidenti i Bujar Nishani ngriti pretendime se kishte gjetur një pajisje përgjimi në zyrën e tij. Për këtë shkak ai shkarkoi komandantin e Sigurimit, Krenar Ahmeti dhe zv/komandantin Hazbi Pëllumbi.