220 hektarë tokë me vlerë tregu prej 100 milion euro është sekuestruar nga prokuroria e Vlorës pas dyshimeve se ajo ishte përvetësuar me dokumenta të falsifikuara.
Hetimet për këtë rast sqaron akuza e Vlorës janë nisur kryesisht e më pas janë bashkuar dhe kallëzimet e dy shtetasve të cilët pretendojnë pronësi mbi këtë sipërfaqe.
Kjo masë sekuestro është vendosur me lejen e gjykatës ndërsa si prova janë paraqitur një sërë dokumentesh të falsifikuara të marra në hipotekën e qytetit të Vlorës.
Sipërfaqa prej 220 hektarë ndodhet në zonën e njohur si Shën Vasil në Karaburin dhe është regjistruar fillimisht në emër të Rajmond Mezinit.
Historiku i falsifikimit të dokumenteve të pronësisë nis me ato të kthimit dhe njohjes së pronës prej 1943 ku fillimisht ka rezultuar pronar Jakup Mezini.
Kjo pronë me dokumente të falsifikuar është regjistruar në hipotekë në vitin 2002 me përshkrimin Një sipërfaqe Kullotë prej 220 ha në emër të Rajmon Mezinit.
Por tjetërsimi i kësaj prone do të vazhdonte duke u ndarë në dy parcela 130 ha dhe 90 ha. Sipas prokurorisë kjo pronë ka kaluar dhe një sërë transaksionesh të dyshimta të pasqyruara në regjistrat e hipotekës.
Këto transaksione thotë prokuroria janë bërë me qëllim fshehjen e origjinës së pronës. Për të cilën tashmë ka nisur procedimi për falsifikim dokumentash, shpërdorim detyre, pastrim parash.