Report TV - Reforma në Drejtësi, Ristani: Palët politike janë drejt kompromisit

2016-05-31 0

Palët politike janë afër arritjes së kompromisit për finalizimin e reformës në drejtësi.

Duke u shprehur optimist votimin bashkarisht të kësaj reforme, sekretari i përgjithshëm i PD Arben Ristani në një intervistë për Report Tv tha se në pjesën më të madhe ajo është dakordësuar dhe gjithçka tashmë mbetet në dorë të vullnetit politik.

Numri dy në Partinë Demokratike sqaron se ndërsa çështjet teknike tashmë janë mbyllur gjithçka ka mbetur të vullneti politik për formulën e votimit nga parlamenti të gjyqtarëve çka i jep më pas zgjidhje edhe arkitekturës së sistemit.

Një tryezë e dialogut politik Rama-Basa është e mirëpritur për Arben Ristanin, e kjo do të ishte hallka e fundit e një procesi që finalizohet me miratimin e reformës në drejtësi.

Kjo tryezë nuk ka pengesa të mblidhet pavarësisht se PD është në kushtet e bojkotit 10 ditor pas përjashtimit për të njëjtën periudhë të ish kryeministrit Sali Berisha nga byroja e Kuvendit.

Të premten e shkuar kryeministri i bëri sërish ftesë kreut të opozitës të ulen në tryezën e dialogut për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, ftesë e cila mori përgjigje pozitive nga kreu i PD Lulzim Basha.

Por përjashtimi i ish kryeministrit Berisha nga kuvendi për kryetarin e PD i largon palët nga tryezat e dialogut, duke lënë të kuptohet shtyrje në kohë të kësaj tryeze.