Partia Demokratike ka reaguar sot sërish për çështjen e ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar, ku ka thënë se, kryeministri i vendit Edi Rama pranon megaaferën me stadiumin por nga ana tjetër fsheh dokumentet e korrupsionit.
Deklarata është bërë nga nënkryetari i Partisë demokratike, Edi Paloka i cili ka shtuar se dokumentet i janë kërkuar, por ai nuk i ka bërë publike.
Ai ka shtuar se, një investigim mediatik ka nxjerrë në pah se e gjithë ndërtesa do të jetë 90 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, ku vetëm 12 mijë metra katrorë i shkojnë federatës, pra publikut, e gjithë pjesa tjetër prej 78 mijë metrash në zonën më të shtrenjtë të Tiranës ndahet mes Ramës dhe klientelës së tij.
Sipas Partisë Demokratike ajo nuk do ta përligjë kurrë këtë projekt korruptiv dhe çdo hap që hidhet në drejtim të realizimit të tij do të trajtohet në kuadrin e ligjit anti-mafia sa i përket personave përgjegjës dhe pasurive të krijuara apo investuara.