Asambleja Parlamentare e NATO-s mbylli sot punimet 3-ditore në Tiranë. Dita e tretë e punimeve të sesionit të pranverës të Asamblesë së Aleancës Veri-Atlantike iu dedikua draft deklaratës dhe rezolutës për axhendën e Samitit të Varshavës. Deklarata u prezantua nga kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Nicole Ameline, (France) si dhe kryetari i Komitetit Politik, Ojars Eriks Kalnins, (Letoni).
Paneli i sotëm i Asamblesë u drejtua nga Michael Turner, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ndërsa mbajtën fjalime edhe kryeministri Edi Rama e kryetari i Kuvendit Ilir Meta.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO.
Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë fjalimit të tij se NATO duhet t'i hapë rrugën e anëtarësimit Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi gjithashtu edhe rrezikun rus në Lindje të Europës duke kërkuar një koordinim të vendeve të Aleancës për të garantuar sigurinë.
Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi një dimension të ri të NATO-s për të rritur sigurinë. Ai tha se me rëndësi mbetet zgjerimi i mëtejshëm i Aleancës.
Për Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, në Samitin e Varshavës duhet të vendoset për rritjen e prezencës ushtarake në Lindje të Europës, për t'i bërë ballë rritjes së ndikimit rus.