Punëtorët po i japin dorën e fundit këndit të lojërave te liqeni. Çdo gjë është përgatitur posaçërisht për fëmijët. Dy ditë para inaugurimit Report TV ka bërë një vëzhgim në ambientet e brendshme të tij, ku bien në sy ngjyrat dhe shumëllojshmëria e lojërave.
Këndi është i njëjtë si ai që është paraqitur pak muaj më parë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Do të ketë fushë Basketbolli dhe shumë mundësi argëtimi për vogëlushët e Tiranës. Por është menduar edhe për sigurinë e fëmijëve. Fillimisht është vendosur, zhavor, rërë, gomë dhe më pas bar, në mënyrë që fëmijët të mos lëndohen. Gjithashtu janë përdorur edhe ashkla. Poshtë barit është vendosur gomë e butë.
Këndi i lojërave pas inaugurimit do të menaxhohet nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Hyrja për të gjithë fëmijët do të jetë falas.
Punonjësit kanë për të vendosur edhe trenin, që do të jetë një mundësi më shumë argëtimi.
Punonjësit janë kujdesur për pemët që ato të mos dëmtohen. Madje dallohet qartë se nuk është prerë asnjë pemë.